Thursday, August 27, 2009


Sejdiu-Thaçi: Të mbyllet debati për Protokollin


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri, Hashim Thaçi, kanë zhvilluar sot një takim me shefin e ICO-së, Peter Faith dhe atë të EULEX-it, Yves de Kermabon. Me këtë rast ata patën një diskutim të gjithanshëm rreth gjendjes së përgjithshme në Kosovë, me theks të veçantë rreth situatës së krijuar me të ashtuquajturin Protokoll bashkëpunimi me Republikën e Serbisë.


Në takim, siç thuhet në një komunikatë të Presidencës, liderët e Kosovës ritheksuan qëndrimin e prerë në kundërshtim të këtij Protokolli dhe theksuan se me ditën e sotme mbyllet përfundimisht çdo debat dhe bisedë në këtë temë. “Institucionet e Kosovës janë institucione sovrane dhe rrjedhimisht marrin vendime sovrane ne pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Republika e Kosovës nuk merr asnjë obligim dhe përgjegjësi për çështjet për të cilat nuk ka vendosur në mënyrë sovrane”, thuhet në komunikatë.

Krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës theksuan në takim me Faith dhe Kermabon se institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë ngushtë me EULEX-in dhe ICO-në në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

U theksua se gjendja në Mitrovicë është e papranueshme dhe se duhet të krijohet ambient i përshtatshëm dhe i papengueshëm për kthim në pronat e tyre dhe për rindërtimin e shtëpive për të gjithë qytetarët. “Dhuna e demonstruar në Mitrovicë dhe demolimi i pasurisë së EULEX-it është e papranueshme dhe institucionet dhe populli i Kosovës e dënojnë në mënyrën më të ashpër”, u tha në mes tjerash në takimin e sotëm.